Çfarë do të ndodhë me provimet e lirimit dhe të maturës


Dje, u njoftua se institucionet arsimore në vend do të qëndrojnë të mbyllura deri më 3 prill. Studentët do të vijojnë të studiojnë online sipas grupeve të krijuara në rrjetet sociale, me ndihmën e leksioneve që transmeton RTSH dhe platformës Akademi.al. Për sa i përket provimeve të lirimit dhe të maturës, ministrja e Arsimit, Besa Shahini tha edhe pse shkollat janë të mbyllura, mësimi po vijon.





“Sot që flasim, kemi diku tek 90% të nxënësve që janë në komunikim direkt me mësuesit e tyre. Ndoshta jo komunikim ditor, por komunikim i rregullt që të marrin instruksionet që duhet t’i bëjnë në shtëpi, detyrat e shtëpisë që duhet t’i bëjnë. Ndaj, nuk ka ende arsye të mendojmë që provimet kombëtare nuk do të mbahen. Ju duhet të planifikoni që provimet kombëtare do të mbahen sipas planit që kemi bërë deri tani."





Ministrja thekson faktin se për t’u ardhur në ndihmë nxënësve, "MASR ka nxjerrë dy udhëzues me modele pyetjesh, si për maturantët ashtu edhe për nxënësit e klasave të 9-ta, që të ushtrojnë sa më shumë që të jetë e mundur me llojet e pyetjeve që do t’i kenë nëpër provime dhe të thellojnë njohuritë e tyre për të gjitha lëndët që mund të jenë në provimet të cilat do t’i bëjnë në fund të vitit shkollor,” tha Shahini në një video në Facebook.





Gjithashtu, këto ditë ministria do të pajisë mësuesit me udhëzuesin për mënyrën e vlerësimit të studentëve gjatë kësaj periudhe. “Vlerësimi do të ketë dy elemente. Elementi i pjesëmarrjes dhe njohuritë që nxënësi ka fituar.”





Nga: AnabelMagazine


Post a Comment

Previous Post Next Post